Policia e Kolonjës ka arrestuar një 33-vjeçar dhe po procedon në gjendje të lirë një tjetër shtetas, i cili ka penguar automjetin e kryebashkiakut Erion Isai.
Sipas bluve, automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në një moment shtetasi E. K., e ka goditur me grusht në fytyrë, Isain.
Njoftimi i Policisë:
Goditi me grusht, për shkak të detyrës, kryetarin e bashkisë Kolonjë, vihet në pranga 33-vjeçari.
Procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër, i përfshirë në konflikt, i cili pengoi me automjetin e tij, lëvizjen e automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i bashkisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 33 vjeç, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, për shtetasin Xh. K., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam, Kolonjë.
Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Qinam, shtetasi Xh. K., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, shtetasi E. I. (njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi E. K., i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë.
Të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al