Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 7 vite burg për Suel Çelën.
Për Çelën po ashtu Prokuroria ka zbutur akuzën nga “vrasje ndaj punonjësit të policisë mbetur në tentativë”, që akuzohej më herët në “kundërshtim të forcave të policisë dhe goditje për shkak të detyrës”.
Ndërkaq, për Enea Bekteshin dhe Kelmend Xhaferrin organi i akuzës ka kërkuar dënim me 6 vite burgim. Bekteshi akuzohet për “kundërshtim të forcave të policisë”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “prodhim narkotikësh”.
Ndërsa, Xhaferri akuzohet për armembajtje pa leje, largim nga vendi i qëndrimit.
Suel Çela akuzohet për ncidentin e ndodhur në shtator të vitit 2017 në Elbasan, ku ky i fundit drejtonte makinën Audi që goditi automjetin e ish zv.drejtorit të policisë Elbasan Gjergji Oshafi.
Përplasjen ndodhi në Tregun Agro-Ushqimor në 18 shtator të 2017-së në Elbasan. Asokohe policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.
Ndërkohë, në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas hetimeve të Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit. Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor./abcnews.al