Goditet “mafia e kullotave”/ Mashtronin dhe vidhnin fondet e BE-së, 25 të arrestuar në Itali

schedule13:51 - 26 Shtator, 2023

schedule 13:51 - 26 Shtator, 2023

25 persona janë arrestuar në Itali për mashtrim me fondet e BE-së. Mediat raportojnë se janë përfshirë 75 persona, janë lëshuar 25 masa arresti, kryer 16 kontrolle në disa zona midis Abruzzo, Puglia, Trentino Alto Adige, Piemonte, Lombardia, Veneto, Liguria, Emilia Romagna, Lazio dhe Campania.

Pas hetimeve të kryera nga autoritetet, ka rezultuar se të dyshuarit mashtruan BE-në për të futur në xhep miliona euro fonde publike për kullota që nuk ekzistojnë. Operacioni i koduar “Transhumance” u zhvillua nga policia financiare e Pescara-s, i koordinuar nga DDA e Prokurorisë së L’Aquila.

Mashtrimi është kryer nga mafia e Foggia dhe organizatave kriminale të Garganos. Organizata kriminale, nga e cila thuhet se janë 13 persona, dyshohet se simuloi zotërimin e kërkesave të nevojshme për të marrë disponueshmërinë e tokës dhe titujt përkatës “Pac”, të lëshuara pa pagesë nga Rezerva Kombëtare e titujve për sipërmarrësit e rinj bujqësorë.

Mashtrimet kapin vlerën e afro 5 milionë eurove, shuma të sekuestruara nga 24 kompani bujqësore dhe 38 individë, të akuzuar për arsye të ndryshme për vetëpastrim, ripërdorim të produkteve të paligjshme, marrje mallrash të vjedhura, mashtrim të rëndë ndaj shtetit dhe për përfitime fondesh publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!