Goditet klani shqiptar i trafikut të drogës, prostitucionit dhe pastrimit të parave

schedule22:49 - 27 Prill, 2018

schedule 22:49 - 27 Prill, 2018

Një operacion masiv i agjencive ligjzbatuese belge ka çuar në asgjësimin e një konsorciumi kriminal, ku bënte pjesë edhe një klan shqiptar, i përfshirë në trafik droge, prostitucion dhe pastrim parash.

Pas dy vjet hetime, policia gjyqësore belge ka organizuar një supër aksion kundër krimit të organizuar, që është finalizuar me arrestimin e 31 personave, mes të cilëve shumë shtetas shqiptarë. Që prej së dielës e deri mbrëmjen e së enjtes, rreth 290 efektivë policie janë angazhuar në këtë aksion që ka goditur disa grupe kriminale, aktive në trafikun e drogës, falsifikimit dhe pastrimit të parave, shfrytëzimit të prostitucionit dhe evazionit.

Operacioni është kryer në katër lokalitete të ndryshme të Belgjikës dhe në provincën e Luksemburgut, ku janë kontrolluar 47 banesa. Hetimet, sipas autoriteteve lokale, kanë treguar lidhje të elementëve vendas me grupe kriminale shqiptare për kultivimin e kanabisit dhe mafian italiane për falsifikimin e parave.

“Një sistem i sofistikuar kompanish fasadë i ka lejuar organizatës me bazë familjare të fshehë aktivitetet kriminale, të pastrojë paratë dhe të sigurojë të ardhura të konsiderueshme”, ka deklaruar prokurori Christian Henry.

Nga 31 personat e arrestuar 11 janë vënë nën arrest, ndërsa të tjerë janë liruar me kusht ose të proceduar në gjendje të lirë. 5 prej tyre i përkasin së njëjtës familje, me banim në Turnai. Gjatë kontrolleve të policisë janë gjetur dhe asgjësuar 7 plantacione dhe 25 kg kanabis, 35 mijë euro, si dhe armë zjarri. Gjithashtu, efektivët kanë mbyllur edhe tre lokale në rajonin Turnai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!