Dy ditë pasi RENEA dhe Forcat Speciale u futën në Shkodër, policia doli zyrtarisht me rezultatet e operacionit. Përveç mjeteve dhe armëve të zjarrit janë arrestuar katër persona, mes tyre një pjesëtar i fisit Bajri në Shkodër si dhe shoku i Arian Ferracakut.
19 urdhra kontrolli të miratuar me vendim gjykate ka patur në dispozicion Policia e Shtetit gjatë operacionit në Shkodër.
Një pjesëtar i fisit Bajri, Ilir Rustemi Bajri u vendos në pranga. Në pranga përfundoi edhe Asmer Bilali ish-kampinioni I boksit, i cili ka qenë duke kalëruar sëbashku me Arian Ferracakun ditën kur ai u ekzekutua.
Dy të tjerë gjithashtu u arrestuan gjatë operacionit të RENEA-s, kurse një person u shpall në kërkim.
Gjatë një dalje publike nga Shkodra, zv.drejtorja e Policisë së Shtetit Aida Hajna tha se u kontrolluan 20 banesa e lokale të perdorura prej personave të dyshuar si anëtarët të grupeve kriminale.
Menjeherë pas policisë, Prokuroria e Shkodrës doli me një deklaratë publike. Në të thuhej se gjatë kontrollit janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar disa prova materiale, mbajtja e të cilave përbën vepër penale, për kryerjen e të cilave janë arrestuar 4 persona.
Ky operacion u organizua në Shkodër pas disa vrasjeve të bujshme, për tëcilat dyshohet se janë pasojë e përplasjeve midis grupeve kriminale që veprojnë në veri të vendit.