Gjyshërit e 5-vjeçares që humbi jetën në aksident kërcënojnë se do të vetëflijohen. Ata kërkojnë të dënohet autori.
Ikja e parakohshme nga jeta në një aksident e 5-vjeçares Afifela Metohu e ka rënduar gjendjen e familjarëve të saj. Dy gjyshërit, të ngujuar prej ditësh para portës së prokurorisë nuk qetësohen dhe thonë se do të vetëflijohen.
“Në qoftë se nuk gjejmë drejtësi do të vetëflijohemi. Do të digjem me benzinë këtu”, thotë Lumturie Metohu.
Ata kërkojnë të dënohet autori që shkaktoi aksidentin kur humbi jetën vogëlushja në fshatin Kurjan të Roskovecit.
“Ne këtu nuk protestojmë se duam personin në litar. Kërkoj drejtësi, GPS-n e makinës, raportin ditor të makinës”, shprehet gjyshja.
“Prokurori s’ka thirrur asnjë njeri dhe në dosje është shkruajtur që janë pyetur dëshmitarë okularë. Kush janë këta dëshmitarë okularë?”, shprehet një i afërm.
“Dhe ato dy dokumente që kemi marrë janë të zeza. Janë vendimi i gjykatës dhe ekspertiza rrugore që është bërë blozë nga të dy palët”, thotë Azmi Metoheu.
Lumturi dhe Azmi Metoheu nuk e kanë patur aspak të lehtë vdekjen e mbesës së tyre. Por ata thonë se kujtimin e saj po e vret edhe shteti duke mbuluar këtë krim. Sipas tyre, personi që shkaktoi aksidentin u la i lirë nga ana e gjykatës dhe janë manipuluar provat e aksidentit.
Ata thonë shkak ka qenë vetëm shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte mjeti. Familajrët prej ditësh qëndrojnë në derën e prokurorisë, por askush nuk i pret për çështjen. Ata pretendojnë se as ekspertiza nuk u është komunikuar./abcnews.al