Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka hequr dorë nga gjykimi i çështjes ndaj kryedemokratit Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë demokratë, për dosjen e lobimit rus.
Seanca e radhës në Gjykatën e Apelit e cila ishte planifikuar ditën e sotme është shtyrë. Shkak është bërë vendimi i gruas së Azem Hajdarit për të hequr dorë nga dosja.
Në 26 mars Fatmira Hajdari ishte në drejtimin e seancës të cilën tashmë e shtyu. Mësohet se se gjyqtarja ka deklaruar se vendimin e ka marrë për të shmangur paragjykimin.
“Basha ka qenë disa herë në shtëpinë time si kryetar i opozitës, në ceremonitë për bashkëshortin tim. Pres që kërkesa ime të pranohet”, është shprehur Hajdari.
Hajdari ishte zgjedhur nga shorti për të kryesuar trupën, në përbërje të cilës, ishin Alaudin Malaj dhe Shpresa Beçaj.
Kjo trup do të shqyrtonte apelimin e prokurorisë ndaj vendimit të marrë nga gjyqtari Lazër Sallaku që pushoi hetimin ndaj kryedemokratit Basha. Seanca e radhës gjyqësore pritet të zhvillohet më datë 30 Prill, ora 10:00.