Gjyqtari i Gjykatës së Lartë prej vitit 2005, Ardian Dvorani, doli të hënën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. I vetmi problem i konstatuar për të ishte mungesa e deklarimit të llogarive bankare në deklaratën për Vettingun. Gjyqtari sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një gabim njerëzor, ku prej tij nuk ishin dorëzuar katër faqe të deklaratës.
Disa faqe të munguara në deklaratën e bërë për llogari të procesit të Vettingut ishin strumbullari i një raporti negativ të përcjellë nga ILDKPKI në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Sipas Inspektoratit, gjyqtari i lartë në deklaratën e bërë në vitin 2017, nuk kishte pasqyruar likuiditetin financiar, llogaritë bankare të tij si dhe të familjarëve, pasuri që e kishte deklaruar në mënyrë korrekte në të gjitha deklaratat e mëparshme.
Para komisionit, gjyqtari Dvorani qëndroi në pozita pranuese. Ai tha se ishte e vërtetë që në deklaratën e depozituar në ILDKPKI mungonin katër faqe, pikërisht aty ku ai kishte deklaruar llogaritë bankare.
“Unë e kuptoj që përgjegjësia për saktësinë e deklarimeve është e deklaruesit . Por them publikisht se nuk ka asnjë qëllim për fshehje pasurie, por ka qenë vetëm një pakujdesi në depozitimin fizik të deklaratave”, tha Dvorani.
Gjyqtari, i cili qëndron në detyrë përtej mandatit 9-vjeçar të nisur në vitin 2005, shprehur rezerva se përse Inspektorati i Deklarimit të Pasurive nuk i kishte kërkuar shpjegim për faktin.
“Gjatë hetimit, nuk ka pasur asnjë komunikim mes meje apo personave të lidhur me institucionet që ndihmojne procesin e Vettingut. ILDKPKI nuk më ka thirrur asnjëherë për ndonjë pasaktësi. Vetëm në kontaktin e parë që pata me KPK konstatova me shqetësim mungesën e deklarimit te likuiditeteve”, shpjegoi ai.
Përveç këtij fakti KPK nuk konstatoi asnjë problem tjetër për gjyqtarin. Bazuar në deklarimin e pasurisë dhe në hetimin e thelluar të KPK, ai zotëronte bashkë me bashkëshorten një apartament në Tiranë. Po ashtu, ata ishin zotërues në masën 1/6 dhe 1/5 në dy apartamente të prindërve të tyre respektivë.
Pasuritë e tyre, përfshi një autoveturë e blerë me “leasing” rezultonin të justifikuara dhe të deklaruara ndër vite me korrektësi. KPK relatoi raporte pozitive për gjyqtarin edhe sa i përket vlerësimit të figurës, për mungesë të kontakteve me persona të inkriminuar, si edhe për aftësi profesionale të mjaftueshme për të vijuar ushtrimin e detyrës.
Para komisionit Dvorani shprehu bindjen e tij se në vetting prokurorët e gjyqtarët nuk janë as të pandehur e as të paditur, por kanë detyrim të përgjigjen me objektivitet, profesionalizëm e integritet, pasi sipas tij besimi i publikut në sistem nuk mund të mbahet vetëm me sjelljen gjyqësore, por edhe me sjelljen e tij personale dhe jetësore.
Vendimi përfundimtar për gjyqtarin Dvorani që kërkoi rikonfirmim në detyrë pritet të shpallet në 25 Korrik./abcnews.al