Gjyqi ndaj Zotos, gjykata merr si provë 728 foto

schedule15:14 - 22 Mars, 2018

schedule 15:14 - 22 Mars, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda administroi një total prej 728 fotosh, si provë të re në gjykimin për “korrupsion” të ish-kreut të burgjeve, Artur Zoto. Fotot janë pjesë e një ekspertimi të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në korridorin e Drejtorisë se Përgjithshme të Burgjeve.

Një akt-ekspertim i pamjeve filmike të një kamere sigurie në korridorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është prova më e fundit e marrë nga gjykata në procesin ndaj ish-kreut të burgjeve, Artur Zoto. Ish-zyrtari i lartë po gjykohet tek Krimet e Rënda për akuzën e “korrupsionit”.

Kqyrja e pamjeve filmike u kërkua nga pala mbrojëse, pas dëshmisë së dhënë në proces nga ish-nëndrejtori i Burgjeve, Iliaz Labi, i pandehur në një proces të veçuar. Ai pretendoi se i ka dërguar ish-eprorit të tij në zyrë një shumë prej 2 milionë lekësh të rinj, si ryshfet për një tender ushqimesh.

Dy ekspertë të Policisë Shkencore dorëzuan në seancën e radhës raportin e vëzhgimit të 140 orëve pamje filmike. Sipas tyre, nga pamjet nuk shquhet qartë dera e zyrës së ish-nëndrejtorit, Iliaz Labi. Për këtë shkak, ata kishin nxjerrë nga videot 728 fotografi, të gjitha hyrje-daljet ne zyrën e ish-drejtorit të Burgjeve në harkun kohor 23-24 Maj 2016, kur Labi pretendon t’i ketë shkuar në këtë zyrë.

Gjatë gjykimit, Zoto ka mohuar të ketë pasur kontakt me Labin, me pretendimin se kishte një komunikim të ngrirë me të.

“Hapini kamerat e sigurisë. Nëse Iliaz Labi është futur ndonjëherë në zyrën tim, le të dënohem maksimalisht”, tha Zoto në seancën e 30 Nëntorit 2017.
Ish-kreu i burgjeve në vijimësi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!