Gjyqi ndaj Trump për dokumentet e klasifikuara shtyhet pa një afat të paracaktuar

schedule11:26 - 8 Maj, 2024

schedule 11:26 - 8 Maj, 2024

Gjyqi ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump në Florida për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në Rezidencën e tij në Mar a Lago pas largimit nga detyra është shtyrë pa një afat të paracaktuar.

Vendimi erdhi nga gjykatësja federale Aileen Cannon, e cila është emëruar në këtë detyrë nga ish presidenti amerikan.  Ajo ka deklaruar se gjyqi nuk do të fillonte më 20 maj.

Mediat amerikane shkruajnë se me shumë gjasë ky gjyq penal ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump do të mbahet pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti. Gjykatësja Federale Aileen Cannon caktoi që seancat para gjyqësore të zgjasë deri më 22 korrik.

Edhe ekipi ligjor i Trump kishte deklaruar më parë se iu duhej më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen mbi këtë çështje ligjore.

Ish presidenti Trump është vetëdeklaruar i pafajshëm për 40 akuza federale për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete të sigurisë kombëtare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, në shtetin e Floridës, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe për pengimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i tërhequr ato.

Zoti Trump është kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit , që pritet të sfidojë presidentin demokrat Joe Biden, i cili e mundi atë katër vjet më parë.

Prokurori i posaçëm Jack Smith I cili ka ngritur akuza ndak ish presidentit amerikan përballet me pengesa të mëdha për të çuar njërën nga dy çështjet federale kundër zotit Trump në gjyq përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!