Juristja Brizida Gjikondi, në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa komentoi gjyqin ndaj ish presidentit amerikan, Donald Trump i akuzuar për 34 vepra penale. Juristja tha se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një mesazh të fortë demokracie me gjyqin ndaj Trump.
“Gjithmonë Amerika jep mësime të forta demokracie botës. Asaj bote që kërkon dhe pranon të mësojë. Shqipëria quhet investim i Amerikës sidomos me reformën në drejtësi prej 2016-ës. Kemi 7 vjet që kemi një reformë në drejtësi që nuk ka arritur t’i ngjasojë asaj që ndodh mbrëmë në Amerikë. Fjala e Prokurorit në Manhattan më ka ngelur në mendje, i cili tha se nuk mund të normalizojmë veprat kriminale pavarësisht se kush i ka bërë ato. I qetë, i ftohtë dhe pa emocione politike, çka nuk ndodh në Shqipëri.
Ambasadorja amerikane ka thënë një shprehje që SPAK po bllokohet në punën e tij nga krimi dhe politika dhe kjo është për të ardhur keq sepse të mendosh se drejtësia me kushtetutë është e pavarur nga politika por ndërkohë nuk kemi parë që ajo që po ndodh në Amerikë të ndodhë këtu. Kjo që po ndodh në Amerikë ka lidhje me Shqipërinë sepse ai akuzohet për krime që kanë të bëjë me krime të fushatës zgjedhore.
Ne jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe ne e dimë shumë mirë që partitë politike lëvizin një lek të madh të papastër, të padeklaruar dhe që nuk është ai i buxhetit të shtetit.“, tha juristja./abcnews.al