Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot fillon shpalosja e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Akuzat për pengim të drejtësisë
Thaçi, si dhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Që të pestit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.
Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për krime lufte, a lirohet menjëherë?
Në Kosovë janë ngritur pyetje nëse ish-presidenti mund të kthehet menjëherë në vend, në rast se gjykata e liron nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.
“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga trupi gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, kishte thënë në gusht për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.
Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm.
“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.
Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e lëshoi më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.
Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.
Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte.
Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë hedhur poshtë të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, atij nuk iu pranua as një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.
Akuzat për krime lufte
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.
Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.
Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.
Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.
Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt.
Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.
Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit./rel

