Është mbajtur këtë të hënë në GJKKO, seanca e radhës për cëshjen Partizani ku i pandehur është marrë ish kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe zyrtarë të tjerë.
Në procesin e sotëm avokati i Sali Berishës ka kërkuar të thirret si dëshmitar edhe Edi Rama, në cilësinë e deklaruesit pasi ka qenë kryetar bashkie. Mbrojtësi ligjor i Berishës, bëri kërkesë për prova se kush është gjeneza e procesit dhe si është hetuar.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha është i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”./abcnews.al


