Gjyqi më i madh në Gjermani për trafikantët e drogës

schedule12:09 - 13 Shkurt, 2019

schedule 12:09 - 13 Shkurt, 2019

Mediat gjermane e kanë konsideruar si ndoshta nga gjyqet më të mëdha për trafikun e kokainës në historinë e vendit, e ndërsa të akuzuarit janë shtetas shqiptarë. Këta të fundit dyshohen të kenë trafikuar rreth 2 ton kokainë gjatë periudhës 2017 – 2018.

Prokuroria e Landit në Bavari ka bërë gati aktakuzën për një nga proceset më të mëdha gjyqësore të kokainës në Gjermani. Mediat gjermane theksojnë se ky mund të jetë gjyqi më i madh i kokainës në historikun e Republikës Federale Gjermane. Prokuroria e Landshutit ka përpiluar aktakuzën kundër tetë personave. Hetuesit supozojnë se të pandehurit janë pjesë e një rrjeti kontrabandistësh që mendohet të kenë kontrabanduar në Gjermani rreth dy tonë kokainë gjatë periudhës midis shtatorit 2017 dhe prillit 2018. Ata akuzohen për tregti të palejuar me lëndë narkotike. “Süddeutsche Zeitung” shkruan se janë kapur element të nivelit të mesëm menaxhues të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike.

Policia zbuloi trafikun rastësisht në shtator 2017, kur në disa supermarkete të Bavarisë së Ulët ishin dërguar kuti me banane, në të cilat punëtorët e supermarketeve kishin gjetur paketa me kokainë. Hetuesit gjurmuan itinerarin e bananeve dhe konstatuan se në depot, ku ato rrinin për t’u stazhionuar kishte pasur disa vjedhje. Në këto depo ruhen banane dhe lloje të tjera frutash prej ku ato shpërndahen në Gjermani dhe Europë. Me ndihmën e një përgjimi shumë të ndërlikuar hetuesit kishin arritur kështu të zbulonin trafikantët. Në operacionet hetuese dhe zbuluese kishin marrë pjesë deri në 500 nëpunës të policisë, doganave dhe  hetuesisë.

Hetimet zbuluan se kokaina kishte hyrë në kutitë e bananeve në Ekuador dhe prej andej dërgohej në adresë të një kompanie me seli në Gjermani. Vjedhësit hynin më pas në depot ku ruheshin frutat dhe vidhnin aty kokainën, deri më 320 kg për çdo vjedhje.

Bandat e vjedhësve vinin enkas nga Shqipëria. Gjatë periudhës së survejimit të depove, Enti Bavarez i Kriminalistikës kishte regjistruar gjithsej tetë vjedhje në depo staxhionimi, e në disa filmime nga kamerate vendosura nga policia, personat ishin dhe të armatosur.

Grupi kontrollohej dhe drejtohej, me sa duket, nga Hamburgu, ku njëri prej të akuzuarve kryesorë, Dario L. (21 vjeç), kishte marrë një banesë me qira. Në këtë banesë hetuesit më vonë gjetën edhe fletëngarkesa për banane. L. supozohet të jetë marrë me logjistikën e bandës, kurse Klajdi D. (25 vjeç) merrej me organizimin e vjedhjeve. Udhëheqës i grupit mendohet të ketë qenë 40-vjeçari shqiptar, Alberto K.

Në prill 2018 policia gjermane vendosi të kryejë goditjen e parë në mbarë Gjermaninë. U  kontrolluan apartamente banimi në Ahrensburg, Hamburg dhe Hannover, ku u gjetën dy revole dhe mbi 30 mijë euro cash. Katër anëtarë të bandës  u dënuan në dhjetorin e vitit të kaluar në Hamburg, në një gjyq më vete, pasi ishin kapur si korrierë të drogës teksa transportonin 180 kg kokainë nga Hamburgu në Holandë. Ata kanë marrë dënime me nga disa vjet burg, por prokuroria e Hamburgut ka paralajmëruar se do ta dërgojë vendimin në Apel, sepse masa e dënimit konsiderohet shumë e ulët.

Persona të tjerë që kanë të bëjnë me këtë grup, të cilët gjenden në Shqipëri, në Holandë dhe në Amerikën e Jugut, nuk janë kapur ende. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!