Gjyqi financiar në Vatikan, Kardinali dënohet për përvetësim fondesh

schedule21:23 - 16 Dhjetor, 2023

schedule 21:23 - 16 Dhjetor, 2023

Një gjykatë në Vatikan shpalli fajtor një kardinal për përvetësim të fondeve dhe e dënoi atë me 5 vjet e gjysmë burg, në mesin e një sërë vendimesh të një gjyqi të ndërlikuar financiar që vuri në provë sistemin e drejtësisë së këtij shteti.

Kardinali Angelo Becciu, i pari kardinal që u gjykua nga Gjykata Penale e Vatikanit, u gjet i pafajshëm për një sërë akuzash të tjera, ndërkohë që ndaj 9 të pandehurve të tjerë pati vendime që i shpalli fajtor dhe të pafajshëm, lidhur me afro 50 akuza që ishin ngritur ndaj tyre gjatë një procesi gjykimi që zgjati dy vjet e gjysmë.

Avokati i kardinalit Becciu, Fabio Viglione tha se ai e respektonte vendimin, por do ta apelonte. Prokurori Alessandro Diddi tha se vendimi tregoi se “kishin të drejtë”. Gjyqi u përqendrua në investimin e sekretaritatit të Shtetit të Vatikanit në vlerën e 350 milionë eurove për të kthyer një ish magazinë të ‘Harrods’ në apartamente luksi.

Prokurorët pretendojnë se zyrtarët e Vatikanit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme e mashtruan Vatikanin për miliona euro në tarifa dhe më pas e zhvatën Selinë e Shenjtë për rreth 15 milionë euro për kontrollin e ndërtesës. Kardinali Becciu u akuzua për përvetësim në dy raste të lidhura me marrëveshjen e Londrës dhe përball me deri në shtatë vjet burg.
Përfundimisht, ai u dënua për përvetësim që rrjedh nga investimi origjinal i Vatikanit prej 200 milionë eurosh. Gjyqi kishte ngritur pikëpyetje në lidhje me sundimin e ligjit në Vatikan si dhe pushtetin e Papa Françeskut, duke pasur parasysh se ai zotëron autoritetin suprem legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor./voa/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!