Luftëtari e pëson edhe me Balsa Radovic. Malazezi, në fund të muajit shkurt ka fituar në FIFA gjyqin me bluzinjtë dhe pret të marrë atë që i takon. 5 mijë euro bluzinjtë duhet t’ia shlyejnë ish-sulmuesit për pagat e padhëna, si dhe 14 mijë euro për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, plus përqind të totalit të borxhit si interes.
Një ditë më parë, Abcnews.al raportoi edhe për gjyqet e humbura me Ismael Dunga dhe Nemanja Janicic, që e detyrojnë Luftëtarin të paguajë rreth 123 mijë euro. Nëse nuk ka shlyerje të këtyre borxheve, ose marrëveshje me lojtarët, atëherë në Gjirokastër nuk mund të bëjnë merkato në tre dritare transferimi radhazi.
GJYQET E TJERA – Sulmuesi Ismael Dunga u ka bërë një dëm të madh bluzinjve, pasi ndaj tij duhet të paguajnë bashkë me 5 për qind të interesit rreth 81 mijë euro. FIFA ka vendosur që Luftëtari i detyrohet lojtarit nga Kenia 11300 për pagat e padhëna, si dhe 65587 euro për prishjen e kontratës. Vendimi i 25 shkurtit është i qartë.
Tre ditë më pas FIFA ka pranuar pjesërisht edhe kërkesën e mbrojtësit Nemanja Janicic, i cili në fund të gjyqit ka fituar të drejtën për të marrë 22500 euro, që Luftëtari i detyrohet për pagat e padhëna. Veç kësaj, FIFA i ka dhënë të drejtë edhe për prishjen e marrëveshjes.
18 mijë euro bluzinjtë duhet t’ia japin mbrojtësit për ndërprerjen e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Të gjitha shumave të mësipërme u llogaritet edhe 5 për qind interes dhe detyrimi i Luftëtarit shkon në rreth 123 mijë euro. / abcnews.al