Një gjykatës federal ka vendosur që ish-nënpresidenti Mike Pence duhet të dëshmojë para një jurie të madhe pasi u thirr nga prokurori special, i cili po heton përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Dy persona që kanë njohuri mbi vendimin e gjykatësit, folën në kushte anonimiteti sepse vendimi ende nuk është bërë publik.
Megjithatë, ata thanë se zoti Pence nuk do të jetë i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me veprimet e tij më 6 janar të vitit 2021, kur një turmë e mbështetësve të ish-presidentit Trump sulmoi Kapitolin ndërsa ish-nënpresidenti Pence po kryesonte një seancë të përbashkët të Kongresit për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Ish-nënpresidenti Pence ka argumentuar se duke qenë se po shërbente në cilësinë e Presidentit të Senatit atë ditë, ai është i përjashtuar nga detyrimi për të dëshmuar bazuar në nenin e Kushtetutës mbi “fjalimin ose debatin”, i cili i mbron të drejtën e anëtarëve të Kongresit që të mos merren në pyetje për aktet legjislative.
Skenari i jashtëzakonshëm i mundësisë që një ish-nënpresident të dëshmojë kundër ish-shefit të tij në një hetim penal shpaloset ndërsa zoti Pence po shqyrton mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ish-presidenti Trump tashmë e ka shpallur kandidaturën e tij për president.
Ekipi i ish-nënpresidentit Pence është duke shqyrtuar tani mundësinë e apelimit të vendimit të sotëm të gjykatësit federal./VOA