Gjykata e Shkupit dënoi me burg të përjetshëm 7 nga 37 të akuzuarit për përplasjen me armë në lagjen e trimave në Kumanovë 2 vjet më parë. Po ashtu 4 nga të pandehurit u lanë të lirë.
Shtatë nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës u dënuan me burg të përjetshëm, të tjerët me një total prej 746 vjet burg, ndërkohë që vetëm katër prej tyre u liruan nga akuzat pasi sipas gjykatëses, Verka Petrovska, prokuroria nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme. Me burgim të përjetshëm u dënuan Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra, dhe Fejzulla Rushitovski. Të lirë u lanë Ibrahim Murtezani, Besnik Bajrami, Fazli Osmani dhe Besnik Ajdini.
Në momentin e vendimit në sallën e gjyqit ndodheshin vetëm tre nga të akuzuarit ndërsa të tjerët u larguan me urdhër të gjykatëses pasi u ngritën në këmbë duke kënduar himnin kombëtar dhe këngën Besa – Besë duke theksuar se ky vendim vendos dhe për fatin e Maqedonisë. Njëri prej tyre filloi të zhvishej duke detyruar agjentët ta mbulojnë me batanije. Gjatë largimit me forcë nga salla njëri nga të akuzuarit i është drejtuar gjykatëses duke i thënë se nuk ishin terroristë por anëtarë të UÇK-së. Ai shtoi se terroristët e vërtetë sulmuan parlamentin e Maqedonisë ndërsa ata ishin të sulmuar nga shteti. Përveç dënimit me burg, ata duhet të paguajnë dhe shpenzimet e gjyqit si dhe transportin nga burgu për në gjykatë, në një shifër që llogaritet 13 milionë denarë.
Në maj të vitit 2015 në “Lagjen e trimave” në Kumanovë gjatë përleshjes së Forcave të sigurisë dhe një grupi të armatosur, mbetën të vrarë tetë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Maqedonisë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur. Vendimi për të akuzuarit duhej të merrej në 17 tetor, por u anulua për shkak të zgjedhjeve lokale me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë gjatë ditës deklaroi se ishin marrë masa të ashpra sigurie përreth ndërtesës së Gjykatës në Shkup ku dhe u bllokua dhe trafiku i automjeteve. Familjarë dhe miq të të dënuarve pritën shpalljen e vendimit jashtë gjykatës.