Nis aksionin Specialja në Kosovë: Arrestohet ish-shefi i inteligjencës së FSK, dërgohet në Hagë

schedule12:09 - 24 Shtator, 2020

schedule 12:09 - 24 Shtator, 2020

Salih Mustafa, ish-shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, që ka drejtuar njësitit të quajtur BIA, është i arrestuari i parë i Speciales në Kosovë.

Mustafës i janë vënë prangat mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij, nga Eulexi.

Familjarët kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës.

Po ashtu, mediat vendase raportojnë se lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, që tha se ende nuk ka informacion zyrtar.

“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë.”

Mustafa u intervistua nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Kush eshte Sali Mustafa?

Ka udhëhequr një nga grupet e UÇK-së me emrin e njësitit BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obilicit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!