Një gjykatë serbe dënoi të martën një ish-kryetar bashkie me katër vjet burg pasi kishte urdhëruar një sulm me zjarr mbi shtëpinë e një gazetari hulumtues.
Në një gjyq që zgjati gati dy vjet, gjykata e shpalli Dragoljub Simonoviç fajtor për urdhërimin e sulmit në dhjetor të vitit 2018 ndaj Milan Jovanovic, një gazetar për faqen e lajmeve Zig Info në internet. Simonoviç, anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ishte kryebashkiaku i qytetit Grocka, një bashki pranë kryeqytetit të Beogradit, në kohën e sulmit.
“Shpresoj se ky vendim do të jetë tregues për më shumë liri të medias në Serbi,” u tha Jovanoviç gazetarëve jashtë gjykatës, duke shtuar se ai ishte i kënaqur me vendimin.
Jovanoviç dhe gruaja e tij ishin në shtëpi në kohën e sulmit dhe u desh të hidheshin nga një dritare pasi në banesë u hodh një përzierje Molotovi, sipas raportimeve të bëra në atë kohë.
Jovanoviç thotë se ai beson se ishte vënë në shënjestër për shkak të hetimit të rasteve të korrupsionit dhe marrjeve të dyshuara të rryshfeteve të lidhura me kryebashkiakun.
Aleksandar Marinkoviç, personi i akuzuar për kryerjen e sulmit, u dënua në mungesë nga gjykata.
Vendimi është një rast i rrallë i drejtësisë për sigurinë e gazetarëve në një rajon ku liritë e shtypit po shuhen. Retorika armiqësore, ndonjëherë nga politikanët, mungesa e pavarësisë në organet rregullatore të medias, sulmet në internet ndaj gazetarëve dhe mekanizmat e dobët për të mbështetur shoqatat e lajmeve janë ndër pengesat e mediave në Ballkan.
Renditja e Serbisë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit është përkeqësuar gjithashtu në katër vitet e fundit, duke rënë me tre vende në vitin 2020, sipas të dhënave të përpiluara nga vëzhguesi i mediave Gazetarët pa Kufij (RSF)
Vendim i rëndësishëm
Grupet ndërkombëtare të të drejtave të medias mirëpritën vendimin e gjykatës të martën.
Dënimi i një organizatori ishte domethënëse në luftën kundër mosndëshkimit në sulmet ndaj shtypit, i tha Zëri i Amerikës Pavol Szalai, kreu i zyrës për Ballkanin në organizatën Gazetarët pa Kufij.
“Sulmi me zjarr kundër shtëpisë së Milan Jovanoviç është një rast simbolik për lirinë e shtypit jo vetëm në Serbi, por edhe në të gjithë Ballkanin,” tha zoti Szalai, duke shtuar se rajoni është “pllakosur nga mosndëshkimi” kur bëhet fjalë për krimet kundër medias.
“Kur Sekretari i Përgjithshëm i RSF-së Christophe Deloire u takua me Presidentin serb në vitin 2019, Aleksandar Vuçiç u angazhua për shërimin e kësaj sëmundjeje. Vendimi i sotëm është fillimi i procesit të atij shërimi; është fillimi i fundit të mosndëshkimit për krimet e kryera kundër gazetarëve në Serbi”, tha zoti Szalai.
Duke vënë në dukje se gazetari Jovanoviç dhe gruaja e tij mund të ishin vrarë në sulm, përfaqësuesi i RSF-së tha se kjo organizatë do të monitorojë nga afër seancat e apelit, duke shtuar se ishte “e rëndësishme” që vendimi të konfirmohej.
“Evropa është ende e tronditur nga shpallja e pafajësisë vitin e kaluar për organizatorin e pretenduar të vrasjes së Jan Kuciak në Sllovaki. Nëse autorët e sulmit kundër Milan Jovanoviç dënohen përfundimisht, do të jetë një masë e rëndësishme për të mbrojtur sigurinë fizike të gazetarëve” tha zoti Szalai.
Marian Kocner, një biznesmen i fuqishëm në Sllovaki, u lirua vitin e kaluar nga përfshirja në vrasjen e vitit 2018 të gazetarit hulumtues Kuciak. Ai mohoi çdo rol në vrasje.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me bazë në Nju Jork gjithashtu e mirëpriti dënimin.
“Vendimi është një sinjal i fortë nga autoritetet serbe se veprimet e dhunës ndaj gazetarëve nuk do të mbeten pa u ndëshkuar,” tha zonja Gulnoza Said, koordinatore e programit të këtij komiteti për Evropën dhe Azinë Qendrore në një deklaratë për Zërin e Amerikës. “Luftimi i pandëshkueshmërisë për veprime të tilla është një hap i rëndësishëm drejt parandalimit të sulmeve të mëtejshme dhe është veçanërisht i mirëpritur në Serbi ku kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve nuk janë të panjohura.”
Siguria e gazetarit
Serbia është nën presion për të përmirësuar lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve si pjesë e hapave të saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në raportin e vitit 2020, Komisioni Evropian tha se “rastet e kërcënimeve, frikësimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve janë ende një burim shqetësimi serioz” në Serbi.
Zoti Szalai, nga organizata RSF, tha se vendi duhet të trajtojë disa çështje duke përfshirë sigurimin e drejtësisë në krimet kundër medias dhe dhënien fund të sulmeve verbale dhe kërcënimeve duke përfshirë zyrtarë shtetërorë.
“Përgjegjësit për krimet e kryera kundër gazetarëve duhet të dënohen menjëherë, nëse ata janë zyrtarë shtetërorë apo jo,” tha zoti Szalai.
Ai tha që zyrtarët e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë provat e krimit dhe korrupsionit të nxjerra në dritë nga gazetarët. /VOA/