Klodian Duro u arrestua në datë 27 mars. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, tani në rolin e trajnerit, u kallëzua nga ish-bashkëshortja e tij, e cila e akuzoi për dhunë në familje dhe përndjekje.
Ish-bashkëshortja ka marrë më herët urdhër mbrojtje nga gjykata, ndërsa procesi i divorcit të çiftit Duro ndodhet në Apel. 42-vjeçari nuk i ka pranuar akuzat e ngritura, duke argumentuar se në shtëpinë e saj ka shkuar vetëm për të takuar të bijën, të cilën nuk e shihte prej kohësh.
Duro qëndroi vetëm pak ditë i arrestuar dhe hetimet vazhduan me të në arrest shtëpie. Gjithsesi, sot është marrë vendimi me burg. Gjykata Penale e Tiranës e ka dënuar me gjashtë muaj burg ish-mesfushorin e kombëtares, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është katër muaj burg. Vendimi nuk është i formës së prerë pasi është i Shkallës së Parë. Nëse Apeli e lë në fuqi, vetëm atëherë bëhet arrestimi i tij. Duro është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Duro u kallëzua nga bashkëshortja për përndjekje. /abcnews.al