Gjykata ‘ngrin’ përplasjen në PD/ Sefa: Asnjë strukturë nuk preket, të gatshëm të përballemi gjyqësisht me këdo

schedule17:28 - 13 Nëntor, 2023

schedule 17:28 - 13 Nëntor, 2023

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi pasditen e së hënës pezullimin për procesin në lidhje me regjistrimin e statutit të Lulzim Bashës në PD. Pezullimi do të jetë i vlefshëm deri në një vendim të formës së prerë. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa thotë se asnjë strukturë e PD nuk preket nga ky vendim.

“Asnjë strukturë e PD nuk afektohet, është një vendim i paraprirë nga Apeli me 3 mars, që ka përcaktuar që në rast regjistrimi të tilla përcaktohet shqyrtimi i kërkesës së ardhur më përpara dhe kjo ishte një vendimmarrje që do të reflektohej nga ana e gjykatës, kërkesë e cila kërkua nga palët për pezullimin e gjyqit që u pranua në seanca edhe nga ne për sa kohë nuk kishte asnjë lloj pengese. Ne i jemi drejtuar gjykatës për vlefshmërinë e të gjitha vendimmarrjeve tona, të cilat janë të rregullta dhe në përputhje me statutin. Duke qenë se palët e tjera nuk donin t’i hynin shqyrtimit të kërkesave tona, nuk e pamë të arsyeshme për të verifikuar vlefshmërinë e vendimmarrjeve tona atëherë kërkuam pezullimin e këtij shqyrtimi. Asgjë gjë nuk ka ndodhur në PD, të gjitha vendimmarrjet e kuvendit të 2 shtatorit janë në fuqi“, tha ai.

Ai thotë se kreu i grupit parlamentar vijon të jetë Basha dhe se në çështjen e sotme, gjykata i referohet Bashës si kryetar i PD-së.

“Kryetar i grupit parlamentar është Basha. Nuk ka një ndryshim të tillë, është një pengmarrje që kryhet nga Nikolla, e cila për më shumë se tre muaj mban një çështje të varur thjesht administrative dhe kjo është e qartë. Nuk ka një kryetar përveç Bashës. I autorizuar prej tij për të ndjekur këto detyra në kuvend është Flutura Açka. Këto janë çështje administrative që lidhen me mënyrën organizative të partisë. Është një procedurë normale për reflektimin e disa ndryshimeve. Mjafton t’ju them se ndryshimet e statutit të 2018 të PD janë regjistruar në gjykatë vetëm në 10 Korrik 2021, pra tre vite më pas. Këto janë thjesht çështje formale të cilat për efekt të ligjit detyrojnë palët për t’i depozituar në gjykatë. Po të lexoni edhe vendimin e sotëm, përcaktohet se kryetari i PD është Basha dhe gjykata i referohet Bashës si kryetar i PD“, shtoi Sefa.

“Të gjitha vendimmarrjet e PD janë ligjore dhe në fuqi. Çdo person që ka pretendim me këto vendimmarrje apo me qenien ose jo të Bashës si kryetar të PD mund t’i drejtohet gjykatës sa herë ta shohin të nevojshme. Ne kërkuam që këto vendimmarrje të ballafaqoheshin në një debat gjyqësor. Palët e tjera nuk kishin interes. Kur ta shohin të përshtatshëm, kur të jenë të gatshëm për një debat në lidhje me vendimmarrjen e PD-së, janë të lutur të vijnë dhe të paraqiten në gjykatë dhe ne jemi të disponueshëm në çfarëdo lloj momenti të duan ata të përballemi gjyqësisht me cilindo”, tha ai./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!