Gjykata në Serbi nuk është informuar për varrezën masive afër Rashkës

schedule18:32 - 17 Nëntor, 2020

schedule 18:32 - 17 Nëntor, 2020

Gjykatës së Lartë në Beograd nuk i është dorëzuar njoftimi për gjetjen e mbetjeve mortore më 16 nëntor në afërsi të Rashkës në Serbi, të cilat dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova, thuhet në një përgjigje të kësaj gjykate dhënë Radios Evropa e Lirë.

E pyetur se a është njoftuar gjykata me këtë rast dhe cila është procedura e mëtutjeshme që do të ndërmarrë ky institucion në këtë rast, nga kjo gjykatë thanë se:

“Prokuroria e Krimeve të Luftës nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë në Gjykatën e Lartë në Beograd për të urdhëruar paraburgim ndaj ndonjë personi të akuzuar për kryerjen e veprimeve për të cilat po kërkoni informacion, as nuk ka paraqitur ndonjë aktakuzë në Gjykatë, në Dhomën e Krimeve të Luftës në Beograd gjatë vitit 2020, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ndonjë person ka kryer një krim në lokacionin Kizhevak”.

Në Prokurorinë e Krimeve të Luftës në Beograd, paraprakisht kanë thënë për REL se janë të njoftuar se në një vend afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetjet mortore, për të cilët dyshohet se janë të viktimave shqiptare nga Kosova.

“Procedura kalon në juridiksionin e Gjykatës së Lartë në Beograd, përkatësisht, Departamenti i krimeve të luftës “, thanë nga Prokuroria.

Informacionin mbi zbulimin e mbetjeve mortore në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, fillimisht më 16 nëntor e bëri të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu.

Ai konfirmoi se bëhet fjalë për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Më tej, këtë lajm e konfirmoi edhe kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviç. Ai shpjegoi se kërkimet në këtë lokalitet kanë nisur që dhjetë ditë, ndërkaq mbetjet e para mortore u gjetën më 16 nëntor.

Ai gjithashtu njoftoi se zyra e prokurorit përkatës dhe gjykatësi do të përcaktojnë dinamikën e të gjitha aktiviteteve dhe masave që duhen ndërmarrë në atë vend.

Odalloviq po ashtu tha se ky lokalitet ishte i njohur për autoritetet që nga viti 2015 dhe se edhe më herët ishin bërë kërkime aty.

‘Procedura nuk do të shkojë shpejt’

nga TaboolaMund t’ju interesojnë
Lirim Kastrati prezanton të dashurën e tij?
Zgjidhni aventurën tuaj më poshtë! Pesë trendet më të mëdha të flokëve për stinën e dimrit
Shitet “qyteti fantazmë” në Australi, u braktis 70 vite më parë nga banorët – fsheh një histori të errët
Ivana Zhaniq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, mirëpret përpjekjet e bëra për të gjetur trupat e të zhdukurve, por nënvizon se procedura e mëtutjeshme “nuk do të jetë as e shpejt dhe as e lehtë”.

“Vetë procedura e gërmimit është shumë e ndërlikuar. Kjo ka ndodhur në disa raste. Ekziston një mekanizim i veçantë për këtë. Gjithashtu, identifikimi zgjat shumë. Pra, nuk mund të presim, që në një të ardhme të afërt, ta dimë identitetin e viktimave”, tha Zhaniq.

Ajo shton se megjithatë nuk duhet të fokusohen vetëm në identifikimin e viktimave.

“Është e nevojshme të zbulohet se si u vranë këta njerëz, dhe pos kësaj kush është përgjegjës për mbajtjen në fshehtësi të eshtrave të viktimave për më shumë se 20 vjet”, thotë Zhaniq.

Çfarë dihet për vendndodhjen Kizhevak?

Velko Odalloviq e përmendi së fundmi këtë lokacion në një deklaratë për mediat në Beograd, gjatë ceremonisë së dorëzimit të një droni, donacion nga Mbretëria e Bashkuar, që do të përdoret për kërkimin e të zhdukurve.

Ai pati njoftuar se me kërkesë të Kosovës, ky dron do të përdoret për të hetuar në tri lokacione.

“Është një vendndodhje që është e lidhur me Kizhevakun, në afërsi të Rudnicës. Tjetra është Kozarevo, e cila ndodhet midis Rashkës dhe Novi Pazarit, dhe vendndodhja e tretë është në rrethinë të Sjenicës në afërsi të minierës së Shtavalit. Ky është informacioni që kemi marrë nga Prishtina dhe ne jemi pajtuar t’i kontrollojmë ato”, pati deklaruar Odalloviq.

Në një intervistë për mediumin gjerman, Deutche Welle, zëvendësdrejtoresha kosovare e Institutit të Kosovës për Mjekësi Ligjore, Tarja Formisto më 8 gusht të këtij viti, pati konfirmuar se Kizhevaku është vendi për të cilin shpreson që përmes fotografimit ajror, mund të zbulohet si lokacion ku fshihen eshtrat e viktimave.

Më shumë informacion në lidhje me këtë lokacion pati dhënë edhe Velko Odalloviq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 tetor.

Siç pati shpjeguar ai në atë kohë, lokacioni në gurore ishte kontrolluar në Kizhevak dhe se kërkimi ishte kryer në bazë të një dëshmitari që e kishte dhënë informacionin në Prishtinë.

Në raportin mbi progresin e të drejtave të njeriut të botuar çdo vit nga Shtetet e Bashkuara, në pjesën për Kosovën, gjithashtu përmendet Kizhevaku si një vend në Serbi ku dyshohet se forcat serbe kanë varrosur eshtrat e shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë më 1999.

Varreza masive në Serbi

Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

ipas të dhënave të YIHR, në uebfaqen e saj ratusrbiji.rs, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës; në Petrovo Selo në Serbinë Verilindore të paktën 61 trupa; afër Liqenit Peruqac në Serbinë Perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë Jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99.

Për krime lufte në Kosovës, përfshirë transferimin e trupave të shqiptarëve të vrarë në varreza masive, në Tribunalin e Hagës është dënuar ish-ndihmës i ministrit të Policisë dhe Shefi i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Serbisë,Vllastimir Gjorgjeviq. Ai u dënua me 27 vjet burg. Ky dënim më vonë është ulë në 18 vjet. /rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!