Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar të mërkurën një muaj paraburgim për një shtetas serb të arrestuar dy ditë më parë në kufirin juglindor me Serbinë, nën dyshimin se kishte kryer krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.
Gjykata tha se e pranoi kërkesën e prokurorëve për të dyshuarin, të cilin e identifikoi vetëm si D.N, duke thënë se ka dyshime të forta se ai mund të arratiset, nëse lihet i lirë, “duke qenë se ai është shtetas i Serbisë, dhe mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale”.
Ai u arrestua të hënën në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, nën dyshimin se, së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit.
Gjykata tha se ka dyshime të bazuara se i dyshuari, si komandant i Nënstacionit Policor në Zhegër të Gjilanit, shkeli rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

