Gjykata në Moskë shpall falimentimin e REL

schedule15:14 - 13 Mars, 2023

schedule 15:14 - 13 Mars, 2023

Një gjykatë në Moskë e ka shpallur falimentimin e operacioneve të Radios Evropa e Lirë (REL) në Rusi, pas refuzimit të kompanisë për të paguar gjoba të njëpasnjëshme, në total prej mbi 14 miliardë dollarëve, për mosrespektim të të ashtuquajturit ligj për “agjentë të huaj”.

Legjislacioni, i prezantuar më 2012, fillimisht ka shënjestruar organizatat joqeveritare dhe grupet për të drejta të njeriut, mirëpo është zgjeruar më pas edhe për organizatat mediale, gazetarët individualë, përkatësisht për secilin që pranon fonde prej jashtë Rusisë, dhe që sipas pikëpamjes së Kremlinit, ka opinion politik.

Radio Evropa e Lirë ka thënë se ligji përbën censurë politike dhe është krijuar për t’ua parandaluar gazetarëve kryerjen e detyrave të tyre.

Më shumë se 30 punëtorë të Radios Evropa e Lirë janë shpallur “agjentë të huaj” nga Ministria ruse e Drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë e ka mbyllur byronë e saj në Moskë më 6 mars të vitit të kaluar, disa ditë pasi Shërbimi Federal i Taksave e ka dërguar në gjykatë kërkesën për falimentim të REL-it.

Gjykata e Arbitrazhit në Moskë, ka përmendur më 13 mars “paaftësinë” e REL-it për të kryer pagesat. Pasi Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, rregullatori rus i mediave Roskomnadzor, e ka bllokuar faqen e REL-it në Rusi.

Në janar të këtij viti, Radio Evropa e Lirë e ka hapur një zyrë të re në Vilnius të Lituanisë, për të shënjestruar audiencat në Bjellorusi, me përmbajtje në gjuhën bjelloruse dhe ruse, me qëllim të luftimit të propagandës shtetërore dhe censurës së liderit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.

Radio Evropa e Lirë është kompani e pavarur mediale, e cila financohet nga Kongresi amerikan.

Ajo shpërndan informacione në 27 gjuhë në 23 shtete të botës ku liria e mediave është e kufizuar, apo ku gazetaria profesionale nuk është shumë e zhvilluar.

/rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!