Nga Ermal Vija
Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, i arrestuar në Itali për trafikun e 20 kg kokainë, do të përballet përveçse me drejtësinë italiane, edhe me gjykatën shqiptare.
Në shkurt të këtij viti Prokuroria e kryeqytetit ka ankimuar në Apel vendimin e Gjykatës së Tiranës, që pushoi çështjen ndaj Kajmakut, i akuzuar për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”. Në 30 dhjetor 2021, Gjykata Penale e Tiranës kishte vendosur pushimin e hetimeve ndaj Kajmakut për pamjaftueshmëri të provave të paraqitura nga ana e organit të akuzës.
Në nëntor 2019, Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Agim Kajmakut, asokohe në detyrën e kryetarit të bashkisë së Vorës, pasi dyshohej se kishte fshehur një dënim në Greqi. Ai u akuzua për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe shpërdorim detyrë.
Sipas Prokurorisë, mbi Kajmakun rëndonte edhe akuza e ushtrimit të funksioneve publike pas mbarimit të mandatit, pasi kishte shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë pasi KQZ kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Vorës.
/abcnews.al