Gjykata lë në burg Mario Meshinin: Ishte me Kasmin në momentin e vrasjes

schedule14:42 - 2 Shkurt, 2018

schedule 14:42 - 2 Shkurt, 2018

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Mario Meshinin. Ai u arrestua të martën, si një nga personat e përfshirë në ekzekutimin mafioz të Devi Kasmit, mbrëmjen e 29 Janarit në Tiranë. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Meshini mohoi akuzën. Ai i kërkoi gjyqtares, Ardiana Bera, ta lironte nga qelia duke shpjeguar se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Kasmit.

Ky është Mario Meshini, personi i parë i arrestuar nga policia si i përfshirë në vrasjen e Devi Kasmit, mbrëmjen e 29 Janarit në Tiranë.
Sipas një vendimi të gjykatës së kryeqytetit, ai do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, 26 vjeçari Meshini ka mohuar me forcë akuzën. Ai ka kërkuar të lirohet nga qelia, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Kasmit. Para gjyqtares, Ardiana Bera, i riu ka pohuar njohjen miqësore me viktimën, por ka përjashtuar çdo përfshirje të tij në ngjarjen kriminale. Në të njëjtën linjë ka qëndruar avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit, akuzat e ngritura ndaj klientit të tij ishin të pabazuara.

Sipas avokatit, nëse Meshini do të ishte i përfshirë në ngjarje nuk do të përdorte motorin e targuar në emër të tij, nuk do të përdorte telefonin e tij dhe nuk do të shkonte në shtëpi pas krimit. I kundër ka qenë qëndrimi i përfaqësuesit të akuzës, i cili ka shprehur dyshime se Meshini është personi, që ka nxjerrë në pritë viktimën.

Mario Meshini është dëshmitar okular i vrasjes së Kasmit. Ai ishte duke folur me të në momentin që Kasmi u qëllua disa herë nga afër. 26-vjeçari u arrestua dy ditë pas ngjarjes, pasi kishte dhënë deklarime në cilësinë e personit që kishte dijeni mbi rrethanat e ngjarjen.

Në dëshminë e tij, Meshini ka pohuar se agresori i ka drejtuar edhe atij armën, por nuk e ka qëlluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!