Gjykata e Tiranës për 11 protestuesit, 1 në arrest me burg e 10 në detyrim paraqitje

schedule13:00 - 25 Nëntor, 2018

schedule 13:00 - 25 Nëntor, 2018

Nga 11 personat e arrestuar për protestën e të enjtes para parlamentit, njëri do qëndrojë në arrest me burg, e të tjerët janë lenë të lirë me detyrim paraqitje.

Ky ishte vendimi i gjykatës së Tiranës, ku prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për 6 të ndaluar, dhe detyrim paraqitje për 5 të tjerë, por vetëm për Dorjan Protoduarin u vendos masa e “arrest me burg”. Të pranishëm në seancë gjyqësore dhe jashtë ambienteve të saj ishin edhe deputetë të opozitës, nga PD dhe LSI, bashkë me familjarët e protestuesve të zonës së Unazës së Re. Policia e Tiranës, kishte shtuar radhët e saj me efektivë të shumtë për shkak të informacioneve se mund të kishte përpjekje për cënim të seancës gjyqësore.

Por përsëri në disa raste situata doli jashtë kontrollit. Për shkak të masave për të mos lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në sallë pati edhe një përplasje fizike fillimisht mes deputetëve opozitar me forcat e rendit. Duke qenë në ankth për vendimin që do të jepte gjykata, një pjesë e protestuesve u zhvendosën pas institucionit nga ana e Burgut “313”, duke bërë thirrje për të afërmit e tyre. Pas vendimit të gjykatës deputetë të opozitës e familjarë të protestuesve kanë shprehur kundërshtitë e tyre për vendimin e trupit gjykues.

Ervin Salianji, deputet i PD: “Sot është vendosur një standart i ri në republikë ku nëse je trafikant, nëse je përdhunues, nëse je kriminel, nëse je bandit bëhesh kryetar bashkie, si Vangjush Dako, si Elvis Roshi, si Prenga, si Ndoka dhe nëse je protestues, nëse proteston për të mbrojtur familjen tënde, nëese proteston për të mbrojtur dinjitetin tënd, nesë proteston për të mbrojtur pronën që garantohet me kushtetutë dhe me ligj, dënohesh pa prova, pa ligj duke shkelur themelet e shtetit të së drejtës dhe të shtetit ligjor. 5 bidona dhe materiale plastike. Prova e tjetër e prokurorisë ishte që kemi dy ristela mbajtësetë protestës, prova tjetër ishte që kemi dy pankarta me mbishkrime. Të gjtihë qytetarët që u paraqitën para gjykatës pa prova dhe pa ligj, me vullnetin politik të Edi Ramës dhe Arta Markut mbahen sot të izolur.”

Klevis Balliu, deputet i PD: “Që banorët e Unazës së Re kanë paguar, ai sot po shkatërron shtëpitë. Po ata shtëpia nuk do të shemben sepse ne do ti qëndrojmë protestës. PD do të vazhdojë ta mbështesë protestën. Me hir apo me pa hir të kësaj qeverie apo kujtdo ato shtëpi do të mbrohen.”

Edhe përfaqësuesi i familjeve që preket nga zgjerimi i Unazës së Re, kërkoi nga qeveria të tërhiqet nga projekti, dhe të dialogojë me banorët.

“Edi Rama, Unaza e Re është rruga e funeralit tënd politik.os e harro Unaza e Re është Shqipëria. Mos e harro nuk e vjedh dot pronën tjetrit, nuk e nxjerr dot nga shtëpia në vitin 2018.”

 Ndërkohë, 18-vjeçari Daniel Drobaj, i arrestuar si i dyshuar se hodhi kapsollën që plagosi efektiven Ina Nuka, do dalë të hënën për masë sigurie në të gjykatën e kryeqytetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!