Gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Lavderim Tufën, i dyshuar për “gjobëvënie” 90 mijë euro ndaj një biznesmeni në Tiranë. Tufa, i dënuar më herët si vrasës i Mirit të Xhikes, mohoi akuzën. Ai pretendoi se shuma ishte borxh ndaj një shtetasi italian dhe se ishte kontraktuar për vjeljen e tij.
Më shumë se tre vjet nga përfundimi i një dënimi të gjatë për vrasjen e Fatmir Ramës, të njohur si Miri i Xhikës, Lavdërim Tufa është rikthyer në qelitë e paraburgimit. Me kërkesë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gjykata caktoi paraditen e së shtunës masën e sigurisë “arrest në burg” për të. Tufa dyshohet të jetë autori i vendosjes së një gjobe 90 mijë euro ndaj administratorit të një firme private në kryeqytet, me pretendimin se paratë ishin borxhi që ai ia kishte një shtetasi italian.
Burime pranë gjykatës konfirmuan se i arrestuari Tufa ka qëndruar i heshtur gjatë gjithë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun. Por përmes avokatit të tij, Alban Bengasi, ai ka mohuar akuzën e “shtërngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”. Avokati ka pretenduar se klienti i tij ka pasur një marrëdhënie kontraktore me 50 vjeçarin italian me iniciale P. E. për të ndjekur borxhin e tij tek administratori shqiptar. Sipas burimeve, një akt i tillë nuk është paraqitur në gjykim.
Ndërsa prokurori Njiazi Seferi ka pretenduar se nga hetimi i deritanishëm ka dyshime të arsyeshme se Tufa ka konsumuar veprën penale. Sipas prokurorisë, Tufa ka kanosur administorin e firmës personalisht, ose përmes personave të tjerë për dhënien e shumës prej 90 mijë euro. Lavderim Tufa u arrestua të enjten nga Policia e Tiranës. Për të njëjtën ngjarje u procedua në gjendje të lirë për “moskallëzim krimi” një 37 vjeçar dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, mes të cilëve edhe 50 vjeçari italian./abcnews.al