Shpërthimi në Gërdec, GJL i “delegon” GJKKO-së hetimin e ish-ministrit Fatmir Mediu

schedule17:35 - 1 Qershor, 2021

schedule 17:35 - 1 Qershor, 2021

Gjykata e Lartë ka shpallur moskompetencë për rihapjen e çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu duke ia kthyer aktet saj Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Tre javë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i kërkoi Gjykatës së Lartë  të nisë procesin e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu në lidhje me shpërthimin e municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec, kërkesë e cila u rrëzua nga GJL.

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë u depozitua kërkesa e Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindër të E.D., i cili humbi jetën në moshën 7 vjeç në shpërthimin e ndodhur në Gërdec, me objekt ndjekjen penale të Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.

Sipas SPAK, ndjekja penale ndaj Mediut nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pasi sipas saj, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Rreth dy muaj më parë, në studion e ABC, Mediu deklaroi se ai është gjykuar në lidhje me këtë ngjarje dhe ka qenë ai që ka dhënë dorëheqjen menjëherë nga posti për arsye morale duke ngritur akuza se maxhoranca po e përdor çështjen për të përbaltur figurën e tij.

Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të vitit 2008, rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. /mv.abcnews.al