Gjykata e Elbasanit i ka komunikuar “arrest me burg” për Nuredin Dumanin. Ai akuzohet për përplasjen me armë të ndodhur gjatë pasdites së 29 marsit në Papër të Elbasanit. Kanë qenë gjyqtarja Matilda Fetau dhe prokurori i çështjes Kreshnik Ajazi të cilët i kanë komunikuar masën e sigurisë në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë, Nuredin Dumanit.
Kujtojmë se Dumani u arrestuar dy ditë më parë në Fier. Ai mundi t’i shpëtonte një përplasje me armë në Papër të Elbasanit ndërsa u largua në drejtim të Fierit ku edhe u prangos në një apartament.
Më herët ndaj Dumanit u komunikua nga GJKKO, një tjetër masë “arrest me burg”. SPAK e ka marrë të pandehur Nuredin Dumanin për vrasjet në Durrës në Mars dhe Prill të vitit 2020 në Durrës, ku viktimë mbetën vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia si dhe Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdyli. Dyshohet se këto krime, Dumani i ka kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, një tjetër i shumëkërkuar në Shqipëri.
Nesër sipas avokatit, do të jepet masa e sigurisë në lidhje me Bujar Çelën.
Armand Trakaj: Ne si palë mbrojtëse nuk e kuptojmë këtë qëndrim të prokurorisë. Sot ishte masa për akuzën vrasje në bashkëpunim e mbetur në tentativë, nesër do të jetë një masë tjetër për Bujar Çelën. Sot ishte masa për ngjarjen e Durrësit. Dumani nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk është mirë të flasë.
Nuk di se kush e ka bërë atentatin, janë sekrete hetimore. Prokuroria pretendon se ka dijeni, por ne nuk e besojmë. Klienti nuk ka pas për qëllim për të kryer vepër penale, por lëvizte i armatosur për shkak të problematikave që ka dhe kjo nuk është më sekret.
Ai sot ka akuza për dy ngjarje të Durrësit dhe dy ngjarje të Elbasanit, përfshirë dhe këtë për të cilën është arrestuar, ku mbeti dhe vet i plagosur. Akuza të tjera zyrtare nuk ka.
/abcnews.al/