Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Meklan Meça, i dyshuar për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur tre ditë më parë në Rrogozhinë.
Sipas hetimeve paraprake, Meça akuzohet se ka vrarë komshiun e tij, ndërsa rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Masa e sigurisë është kërkuar nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka argumentuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e të dyshuarit në krim, si dhe rrezik për pengimin e hetimeve nëse ai do të lihej i lirë.
Gjykata ka pranuar kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur ndaj Meklan Meçës masën më të rëndë të sigurisë, “arrest në burg”.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet procedurale dhe hetimore për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar motivet që çuan në krimin e rëndë.



