Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka reaguar pasi kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit vendosi njëzëri sot, që të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga ai.
Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviçi të premten, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.
Kryeministri Dritan Abazoviç ka deklaruar se e mirëpret vendimin e Kryesisë së DPS-së.
“E mirëpres vendimin e Kryesisë së DPS-së. Është përgjegjës edhe si burrë shteti kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën të mos hakmerresh ndaj tij. Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara – krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë!”, ka shkruar Abazoviq në Facebook. /abcnews.al