“Ismajli dhe Jairo janë më të mirët, kryesisht për fjalët dhe frazat që lidhen me futbollin dhe ju duhen në stërvitje dhe ndeshje. Sharjet mësohen në fushë”, thotë duke qeshur Ana, profesoresha që mëson lojtarët e Hajduk Split të mësojnë gjuhën kroate. Sikurse kuptohet, mbrojtësi i kombëtares shqiptare nuk është i mirë vetëm në fushën e blertë. Në fakt nuk është edhe aq i mirë, kur i kujton se ka tre vite e gjysmë në Kroaci dhe ende nuk e ka mësuar gjuhën.
Ismajli e ka gati përgjigjen: “Jam unë fajtor, por rrethanat kanë qenë te tilla. Jam rritur dhe kam luajtur në Kosovë. Nuk mendoja për gjuhën, por thjesht të bëhesha një lojtar më i mirë. Kur erdha këtu dija vetëm shqip. Nisa të mësoj kroatisht në fillim, por meqë kishte shumë të huaj në ekip, atëherë kalova te anglishtja. Tani e kam marrë me seriozitet gjuhën kroate”.
Mbrojtësi, kur të bëhet baba, i ka idetë e qarta, sikurse edhe shembullin që do të ndjekë: “Nuk i konsideroja gjuhët e huaja kaq të rëndësishme më parë, por nëse do të kisha fëmijë, do të mësonte të paktën tre gjuhë të huaja. Do të hapnin shumë mundësi për ta. Dua të jem si babai im, i cili më dha gjithçka. Më nxiti të stërvitem në shi dhe borë, më motivoi, më sugjeroi të shkoj nga Kosova në një klub të madh në mënyrë që të ec përpara”.
RRITJA SI LOJTAR – “Klubi ku kam qenë, 2 Korriku, ka një shkollë shumë të mirë futbolli. Gjithsesi kushtet janë të dobëta. Kam bërë shumë përparim te Hajduku. Teknikisht jam më mirë, edhe fizikisht jam rritur dhe jam bërë më i fuqishëm. Ky është një klub i shkëlqyeshëm, që funksionin mirë. Gjithsesi kam akoma rrugë për të bërë, lojtari duhet të mësojë dhe të përmirësohet. Për sa kohë që luan, asnjëherë nuk ke mësuar gjithçka”.
NDESHJA ME FRANCËN – “Ishte një përvojë e shkëlqyeshme të luaja kundër Francës. Më herët, kur luaja për Kosovën, nuk pata mundësinë të luaja ndeshje kaq të mëdha. Që kur nisa të luaja për Shqipërinë, gjithçka është ndryshe. Mbulimi i lojtarëve si Olivier Giroude dhe Antoine Griezmann është diçka e veçantë, sidomos para 75 mijë tifozëve në Paris. Disa nga shokët e mi u impresionuan nga atmosfera në fillim të ndeshjes, por nuk ndodhi me mua. Ekziston një atmosferë e tillë në Poljud edhe kur stadiumi është bosh”.
TRAJNERI I KOMBËTARES – “Trajneri Reja i do lojtarët e ri dhe po ndërton një ekip për të ardhmen. Unë e di se ai ka qenë trajner i Hajduk dhe vazhdon të më pyesë për të rejat në klub. Ai dhe Giggi Febbrari dërgojnë gjithmonë përshëndetje për njerëzit në klub. Sidomos Giggi, i cili thotë se Spliti është një shtëpi e dytë për të dhe vjen çdo vit nga 10 ditë këtu”.
E ARDHMJA – “Nuk jam tip që bëj plane afatgjata. Detyra ime është të stërvitem dhe të jap më të mirën. Menaxheri dhe klubi kujdesen për gjërat e tjera. Dua të fitoj titullin me fanellën e Hajduk Split dhe të luaj në Bundesliga. Shpresoj që dëshira e parë të plotësohet sivjet, kurse për të dytën kam akoma kohë”, ka përfunduar Ismajli intervistën për 24sata.hr. /abcnews.al