“Gjuha shqipe në rrezik”, Rama: Kush bën letërsi s’vret qen në rrugë. Dhe Portugalia ka emigrim

schedule18:05 - 5 Nëntor, 2021

schedule 18:05 - 5 Nëntor, 2021

Nga Bathorja teksa u takua me disa nxënës në kuadër të konsultimeve publike, kryeministri Edi Rama deklaroi se gjuha shqipe është në rrezik për shkak të shkurtimeve që përdorin sot përdoruesit e rrjeteve sociale. Ai e përktheu këtë në tkurrje të trurit që sjell pasoja të tjera në shoqëri.

“Gjuha shqipe është në rrezik. Këto shkurtime në celular, pz (për zotin) kanë krijuar këtë situatë. Edhe në Francë gjuha është në rrezik. Në shumë vende të zhvilluara ka probleme me gjuhën në provimet e universitetin. Nuk është çështja se humbet drejtshkrimi. Tkurrja e gjuhës është tkurrja e trurit. Është tkurrja e aftësisë për të menduar dhe për të gjykuar.

Lexo edhe: Rama: Një 16-vjeçare në Durrës prej 5 vitesh punon për kompanitë e huaja nga shtëpia

 Nga ana tjetër letërsia. Një mjek i mirë është një humanist që nuk ka njohuri për letërsinë. Është mirë që edhe jashtë orëve pavarësisht se do bëhesh mjeke, të vazhdosh të kesh vëmendje për letërsinë. Mjeku nuk është kasap që trajton organizma të gjallë që i përkasin botës së kafshëve. Dhe aty prapë duhet një nivel i caktuar humanizmi. Ata që vrasin qen në rrugë nuk kanë bërë asnjë orë letërsi në jetë. Dikush që ka bërë orë letërsie nuk vret qen në rrugë”, tha Rama.

Rama foli edhe largimin e të rinjve nga vendi duke theksuar se ky është një fenomen që nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Sipas tij kjo nuk lidhet medoemos me situatën ekonomike por edhe me globalizmin dhe shpejtësinë e lidhjes vendeve përmes internetit. Rama mori shembullin e Polonisë duke theksuar se pavarësisht suksesit ekonomik nuk ia ka dalë të rinjtë të largohen nga vendi qoftë me pagesa apo bonuse.

“Faza historike që kalojmë ne është e tillë që është një prirje që nuk ka strategji apo forcë që ta përmbysë në një kohë të shkurtër. Ne i shohim vendet e tjera me admirim dhe duam të bëhemi si ata. Kur gjykojmë për veten tonë ne harrojmë se nga vijnë ata. Me të drejtë nuk kemi durim se njeriu një jetë ka. Dhe një 20-vjeçar që jeton në situatë të vështirë, thotë ça do bëj do pres 20 vjet kur e kam Gjermaninë dy orë larg.

Është në të drejtën e vet ta mendojë këtë gjë. Këtë që ne diskutojmë sot e kanë pasur problem të gjitha vendet që dolën nga komunizmi dhe sot e kanë problem vende që janë në BE. Portugalia p.sh. ka pasur sukses ekonomik. Dhe prapë njerëzit ikin. Është bërë shumë shqetësuese derisa qeveria ka futur disa masa që ne nuk i bëjmë dot. Me pagesa dhe bonuse, por tendenca nuk po ndryshon. Jetojmë në kohën e shpejtësisë së komunikimit. E dini problemin më të madh nga Roma deri në Jug. Janë mjekët. Italia që është fuqia e 5 ekonomike e botës. Shqipëria ka shumë gjëra për të cilat duhet shumë kohë por janë disa gjëra që mund t’i bëjë shumë shpejt përmes teknologjisë.

Kush i hyn kodimit nuk ka nevojë fare të mendojë që të ikë. Me një click hyn në një botë tjetër. Aty nuk ka jo miku jo partia. Aty nuk ka as je shqiptar apo anglez. Je më i zoti bën më shumë. Këto të gjitha janë fjalë për momentin. Mbeten për t’u vënë në provën e realitetit. Besoj sot një vit do jemi në gjendje të shohim sa prej këtyre fjalëve janë reale, sa të tjera ishin si ato pikat që mbulojnë pikat e tjera. Nuk besoj se ju kishte marrë malli se ndoshta ju dal në FB. Nuk besoj se humbni kohën duke parë televizor”, deklaroi Rama. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!