Gjatë një vizite në institucionet e varësisë në qarkun Fier, ministrja e Drejtësisë, Etildja Gjonaj, paralajmëroi me shkarkim nga detyra të gjithë zyrtarët e hipoitekës dhe ALUIZNIT, që zvarrisin ankesat e qytetarëve. Ministrja nuk përjashtoi as rastet e kallëzimeve penale.
Pasi vizitoi hipotekat dhe zyrat e ALUIZNI-t të qarkut Fier, ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, paralajmëroi me shkarkim nga detyra zyrtarët që zvarrisin ankesat e qytetarëve.
Etilda Gjonaj: “Dhe të jeni të bindur, edhe në të gjitha vizitat që kam kryer sot, por jo vetëm, porosia që iu është lënë të gjithë drejtuesve të përgjithshëm, drejtuesve rajonal, apo çdo stafi që jam takuar është që ankesat të zgjidhen brenda afatit 10-ditor. Nuk asnjë tolerancë në rast se tejkalohet ky afat”.
Për të njëjtën kategori, ministrja tha se nuk do të kursehet as kallëzimi penal.
Etilda Gjonaj: “Kush ka humbur dokumentet do të shkojë për procedim penale. ZRVPP dhe ALUIZNI ka histori të tilla. Kush thotë se më kanë humbur dokumentet do të dalë përgjegjës dhe do të shkojë për përgjegjësi penale, sepse nuk mund të vazhdohet kështu”.
Ministrja Gjonaj tha se po punohet për të integruar tre shërbimet, ALUIZN, ZRPP, ATP në një zyrë të vetme me qëllim dhënien fund sorrollatjeve të qytetarëve nëpër dyert e institucioneve.
Duke iu referuar Vetingut, ministrja shprehu bindje se në muajin Shkurt do të dalin rezultatet e para për drejtuesit kryesore dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, kandidatët e KLGJ dhe KPL, me qëllim menjëherë pas kësaj të ngrihen institucione e reja./abcnews.al