Gjonaj takim me kreun e OSBE: Bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve

schedule14:51 - 29 Janar, 2021

schedule 14:51 - 29 Janar, 2021

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka zhvilluar takim me kryetarin e Prezencës së OSBE-së, Vincenzo Del Monaco më 29 janar 2021, për të bashkëbiseduar mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në takim u diskutua mbi rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi dhe rrugëtimit për implementimin e plotë të kësaj reforme jetike për drejtësinë në Shqipëri dhe sfidat aktuale të luftës anti-korrupsion në vend.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Vincenzo Del Monaco nga ana e tij ofroi mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë për të sjellë qasje dhe strategji të reja në fushat e bashkëpunimit të përbashkët dhe theksoi nxitjen dhe përparimin e rolit të programeve për të rinjtë, jo vetëm për të ndryshuar perceptimin ndaj korrupsionit si dukuri, por edhe për të sjellë ndryshim në sjelljet komunitare të kategorisë së të rinjve si promotorë të ndryshimit.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se ‘Bashkërendimi i prioriteteve me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertiza e OSBE-së janë dy elementë shumë të rëndësishëm për të unifikuar qasjet, strategjitë dhe pikësynimet si në luftën ndaj korrupsionit, në implementimin e plotë të Reformës në Drejtësi dhe në çdo çështje që ka si destinacion anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.’

Në takim gjithashtu u diskutua edhe mbi mbështetjen e sistemit penitenciar në Shqipëri dhe një raport vlerësimi për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, të përgatitur nga Prezenca.

 

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!