Gjonaj: Reforma në drejtësi ka sfida dhe kundërshtarë, pastrimi nga korrupsioni domethënës

schedule10:21 - 23 Korrik, 2021

schedule 10:21 - 23 Korrik, 2021

Duke i quajtur domethënëse rezultatet e Reformës në Drejtësi, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj renditi disa nga sukseset e saj që nga miratimi në Kuvend 5 vite më parë. Gjonaj u shpreh se reforma në drejtësi ka pasur mjaft sfida dhe kundërshtarë por vazhdon të ketë përkrahje si një investim për të ardhmen e vendit.

“Pastrimi i sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar si dhe rezultat e SPAK janë domethënëse dhe shpresëdhënëse që dëshmojnë se reforma do të rikthejë besimin në drejtësi. Avancimi i reformës në drejtësi është në momentin kur kërkon bashkëpunim. Prandaj kërkohet koordinimi dhe fryma e bashkëpunimit për të çuar përpara këtë reformë.

Ajo që na bën sot bashkë është ndër shembujt e punëve të mira. Kemi punuar intensivisht për një vit. Janë organizuar më shumë se 25 takime për dokumentin final. Paketa e re tregon problemet e sistemit. Reforma në drejtësi ka pasur sfida, vështirësi dhe kundërshtarët e saj. Por vazhdon të ketë përkrahje si një investim për të ardhmen e vendit. Mbështetje e plotë është treguar edhe nga Kuvendi që ka qenë laboratori I kësaj sipërmarrje.

Një aktor shumë  i rëndësishëm është shoqëria civile. Reforma në Drejtësi është shpresa e qytetarëve për një qeverisje të mirë, dhe ura jonë lidhëse me të ardhmen europiane. Jemi në rrugën e duhur por na duhet shumë punë për ta çuar deri në fund këtë projekt për të ardhmen e vendit, familjet dhe fëmijët tanë. Secili do të bëjë sa më shumë por vetëm të gjithë bashkë do bëjmë më shumë për të ardhmen tonë”, u shpreh Gjonaj. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!