Hetuesit shqiptarë dhe ato të vendeve të huaja do të punojnë në skuadra të përbashkëta për hetimin e çështjeve kriminale në lidhje me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit apo anasjelltas. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi në Kuvend projektligjin për krijimin e një regjistri elektronik me bazë të të dhënave nga ndërveprimin i të dyja palëve.
“Kjo është iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë. Nevojat për ndryshimet e këtij ligji janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi. Ngritja e SPAK dhe ridimensionimi i prokurorisë, evidentuan nevojën e ndryshimeve që paraqiten në këtë projektligj. Hapësirat e ligjit ekzistues krijonin mungesa që nuk mund të shmangeshin vetëm me bashkëpunim institucional.
U punua ngushtësisht për të kryer ndryshimet dhe për t’i rezistuar kohës. Janë rregulluar procedurat ligjore në rastin e urgjencës për përkthimin e dosjes hetimore dhe ekzekutimin e letër porosive. Për herë të parë në ligj parashikohen procedurat për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me rregulla të unifikuara me ligj. Kemi parashikuar dispozita të posaçme që janë në zbatim të këtyre parashikimeve. Kjo bën të mundur plotësimin e parashikimit procedurial për njohjen e vendimeve për konfiskim. Shkëmbimi i të dhënave kriminale të shtetasve shqiptarë me shtetet e huaja është bërë mbi bazën e akteve ndërkombëtare.
Është parashikuar me ligj ngritja e regjistrit elektronik. Ky regjistër do administrohet nga Ministria e Drejtësisë dhe baza e të dhënave do ndërveprojë me autoritetet e huaja në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit reciprok. Dua të falënderoj kolegët deputetë, dhe në veçantë deputetet gra që kanë dhënë kontributin e tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut”, tha Gjonaj. m.v/abcnews.al