Gjonaj: Pezullohet dhënia e akteve të marrjes së tokës në pronësi

schedule13:40 - 26 Mars, 2018

schedule 13:40 - 26 Mars, 2018

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, njoftoi të hënën vendimin e qeverisë të datës 14 Mars për pezullimin e përkohshëm të regjistrimit të pronave në bregdet dhe nisjen e reformës së pronës. Sipas Gjonajt, pezullimi i regjistrimit të pronave nuk ka qëllim të bllokojë pronarët e ligjshëm, por grabitësit dhe abuzuesit.

Përmes një vendimi të datës 14 Mars, qeveria ka pezulluar regjistrimin e pronave në bregdet. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se kjo është një masë e përkohshme për të bllokuar situatën e jashtëzakonshme të abuzimeve përgjatë vijës bregdetare gjatë procesit të ndarjes dhe regjistrimit të tokës në fshat, e njohur si pajisja me Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi.

Etilda Gjonaj: “Janë ndarë duke i konsideruar si toka bujqësore zona e rërës së plazheve, është ndarë zona e brezit pyjor të bregdetit, janë ndarë kënetat, ligatinat e moçalet e Ultësirës, janë ndërruar zërat kadastralë duke kthyer tokat e pafrutshme në toka bujqësore, është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot prona shtetërore, poligone apo reparte ushtarake, apo monumente kulture me VKM”.

Ministrja sqaroi sa do të zgjasë kjo mase dhe cili është qëllimi i saj.

Etilda Gjonaj: “Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon pezullimin e lëshimit dhe regjistrimit të AMTP-ve në hipotekë, deri në verifikimin e titujve të lëshuar. Ky vendim, në asnjë mënyrë nuk ka si qëllim të bllokojë pronarët e ligjshëm, por vetëm grabitësit e tokës dhe abuzuesit e ligjit. Rëra dhe plazhet, që janë kthyer si tokë bujqësore, në shkelje të ligjit, nuk mund të regjistrohen dhe të legjitimohen në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

Në të njëjtën dalje, ministrja e Drejtësisë njoftoi nisjen e punës për reformën e pronës.

Etilda Gjonaj: “Kemi filluar nga puna për reformën e pronës, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Reforma e pronës do të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, me qëllimin për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës dhe për t’i dhënë rrugë zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit. Kaosi i pronave, që është shkaktuar në 25 vjet, do të mbetet në historinë e shtetit modern shqiptar si pengesa më e madhe në procesin e ngritjes së ekonomisë së qëndrueshme”.

Gjonaj shprehu vendosmërinë e qeverisë për t’i shkuar deri në fund reformës së pronës, që ajo të shkoi tek i zoti, qoftë shtet apo privat dhe jo tek abuzuesit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!