Ernest Gjoka, trajneri i Shkëndijës së Tetovës, ka bërë një lidhje me studio Sprint në ABC News, aty ku flet për vështirësinë e hasur gjatë qëndrimit në shtëpi, bisedat me lojtarët e skuadrës kuqezi dhe të ardhmen.
JETA PA FUTBOLL – “Është e vështirë, nuk po e përballojmë dot këtë situatë, duke pasur si është jeta jonë, shumë e shpejtë. Vjen një moment bllokohesh komplet dhe je në shtëpi prej këtij virusi. Po mundohemi të ambientohemi dhe është e domosdoshme të bëjmë këtë që po bëjmë. U bënë disa kohë që jemi në shtëpi, na bën mirë të shkëputemi pak, kjo për familjen. Gjithsesi jemi mësuar me atë punë dhe me atë shpejtësi që ka ajo. Nuk është e lehtë të përshtatemi”.
PËRGATITJET – “Kemi biseduar me djemtë. Në Maqedoni mund të dalin në fushë ose mal. Diskutojmë me njëri-tjetrin për ta mbajtur gjendjen fizike. Po tentojmë të mbajmë një gjendje që kur të nisim stërvitjen, të jemi në rregull”.
RIKTHIMI TE FUTBOLLI – “Në këto momente që jemi, me rëndësi është ta kalojmë me sukses këtë luftë. Pjesa e futbolli është tjetra, por do ringrihemi të jemi aty ku duan tifozët. Ta kalojmë këtë situatë dhe më pas të mendojmë për futbollin. Po mundohem edhe vetë të bëj program. Shohim TV, por edhe të punojmë. Sigurisht lexojmë edhe ndonjë libër. Ndihmoj edhe në kuzhinë vajzën. Organizohemi ta kalojmë sa më mirë ditëm”. /abcnews.al