Ernest Gjoka mori disa javë më parë drejtimin e Shkëndijës së Tetovës, duke marrë përsipër të nxjerrë kampionët e Maqedonisë nga situata e vështirë ku ndodheshin. Edhe pse nuk e nisi mirë në ndeshjen e parë, ecuria e Shkëndijës ka qenë për t’u admiruar.
Në katër ndeshjet e fundit, Shkëndija nuk ka pësuar asnjë gol, një rekord shumë i mirë që vërteton punën e mirë që po bën Gjoka në krye të pankinës. Vetë trajneri është shumë i kënaqur me ecurinë e të tijve.
“Absolutisht që më kënaq seria prej katër ndeshjeve me radhë pa gol të pësuar, sepse një skuadër që dëshiron të shkojë larg, një skuadër elitare duhet patjetër të jetë e kujdesshme në prapavijë. Duhet të dijë si funksionon në fushë dhe duhet të dijë si sillet në fushë.
Të dijë sa të vështirë t’ia bëjë kundërshtarit dhe sigurisht se duke i bërë këto detyra me përpikëri, atëherë do ta kemi të thjeshtë me potencialin që kemi të shënojmë gola”, tha Ernest Gjoka./abcnews.al