Komisioni i Disiplinës, pranë FSHF ka publikuar sot dënimet e dhëna për thyerjet e rregullores në javën futbollistike që lamë pas. Superiorja ka marrë skenën kryesore, pasi javën e fundit u kthyen sherret dhe ngjarjet e pazakonta.
Tirana, për mungesën e ambulancës për rreth 15 minuta në stadium në ndeshjen me Vllazninë, është paralajmëruar për masë ndëshkimore në rast përsëritje të këtij episodi. Ndërkohë në Laç, u godit me shishe trajneri i portierëve të Partizanit, Ilir Bozhiqi.
Për këtë episod klubi kurbinas është ndëshkuar me gjobë prej 1 milionë lekësh të vjetra. Nga ana tjetër Tirana ka vetëm 30 ditë kohë për të zbatuar marrëveshjen e arritur me Erando Karabecin për pagesën e pagave të prapambetura të mesfushorit. Palët kishin arritur akord për kët çështje, por Tirana nuk e ka zbatuar.
VENDIMET: 1- KF Tirana, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
2-KF Laçi, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive duke mos garantuar sigurinë e zyrtarit të klubit kundërshtar, në bazë të neneve 63/1/c, dhe 64/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
3-Akademia e Futbollit, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër KF Bylis, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
4-Shënkolli, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-13 – Grupi A, kundër KF Vllaznia, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
5-Lojtari i Vora U-17, Emiljano Brahimaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6-FK Apolonia U-17, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
7-Lojtari i FK Dinamo, Nico Paterni, për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
8-Lojtari i Tibo 5×5, Ergi Laze, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/b të KDS, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti.
9-Tibo, për shkak të ndërprerjes përfundimtare të ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Futbollit 5×5 kundër Royal, në bazë të neneve 30/1 dhe 30/4/a të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
10-Grade Up, për aktivizimin e lojtarit që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Futbollit 5×5, kundër Primo, në bazë të neneve 30/3 dhe 53 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
11-Pranimin e kërkesës së kërkuesit Erando Karabeci. KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 36, datë 05.11.2020 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 62/1/a të KDS, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin. /abcnews.al