Gjobat, jo “gogol” i biznesit/ Reforma e inspektorateve, lehtësim i barrës për sipërmarrësit

schedule17:28 - 21 Qershor, 2024

schedule 17:28 - 21 Qershor, 2024

Bizneset nuk do të gjobiten menjëherë që në kontrollin e parë nga grupet inspektuese. Projektligji i ri i hedhur për konsultim publik synon të reformojë dhe ristrukturojë inspektoratet me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Sipas inspektorit të përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari ndryshimet ligjore që janë ndërmarrë synojnë pikërisht lehtësimin e barrës për sipërmarrësit, duke shmangur gjobat e menjëhershme. Megjithatë shkeljet flagrante nuk do të tolerohen.

“Masa administrative qe vihet ndaj biznesit kur shkojmë jashtë programit. Herën e parë kur trupat vinë për inspektim mbi bazën e njoftimit, nuk vene masa. Është paralajmërim, por lenie detyrash. Nëse herën e dytë detyrat nuk janë bërë, vendoset gjoba”, tha Shkëlqim Hajdari.

Numri i inspektoriateve pritet të reduktohet. Nga ana tjetër grupet e inspektimit do t’i nënshtrohen trajnimit dhe nuk do të lejohen punësime jashtë profilit.

“Nuk do të ketë më vend në trupat e inspektimit njerëz me klientelë. Inspektorët do të jenë vetëm inxhinierë. Nuk do të kemi më nga shkencat sociale apo komunikimi, me gjithë respektin. Nga ky moment ne trupat e inspektimit secili vend pune do ketë konkurrim. Shmangim rekrutimet klienteliste. Do ketë kritere profesionale për tu emëruar, gjë që nuk ka ndodhur deri tani”.

Në takimin me përfaqësues të biznesit, ministrja Delina Ibrahimaj tha se reforma e inspektorateve është e vonuar, por e domosdoshme për biznesin.

“Bizneset ankoheshin për shpeshtësinë e kontrolleve nga inspektoratet. Tani ishte momenti i duhur për të kryer një rregullim”.

Sipas ministres, rregullimi i funksionimit të inspektorateve është në vazhdën e reformave të ndërmarra në fushën e biznesit.