GJND-ja vendos për juridiksionin në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë

schedule10:11 - 2 Shkurt, 2024

schedule 10:11 - 2 Shkurt, 2024

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara më 2 shkurt do të vendosë nëse ka juridiksion në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj pothuajse dy vjet më parë.

Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës, shkruan REL.

Në vendimin paraprak, gjykatësit e GJND-së urdhëruan Rusinë në mars të vitit 2022 që të ndalte pushtimin, por Moska e refuzoi vendimin, duke argumentuar se gjykata, që zgjidh mosmarrëveshjet ligjore të ngritura nga shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë ligjore për të vendosur për këtë rast.

Në shtatorin e vitit të kaluar, avokatët e Rusisë i kërkuan gjykatës që ta hidhte poshtë rastin, duke përsëritur qëndrimin se GJND-ja nuk ka juridiksion.

Gjatë asaj seance dëgjimore, Ukraina tha se injorimi i vendimit të gjykatës nga Rusia përbën sulm ndaj autoritetit të GJND-së.

“Çdo raketë që Rusia gjuan ndaj qyteteve tona, e lëshon me kundërshtim me këtë gjykatë”, tha Anton Korynevych, përfaqësues i Ukrainës në këtë gjykatë.