GJKKO miraton kërkesën për gjykim të shkurtuar për gjyqtaren Enkeleida Hoxha

schedule15:52 - 2 Nëntor, 2021

schedule 15:52 - 2 Nëntor, 2021

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar gjykimin e shkurtuar për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, e arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Ka qenë trupa gjykuese e kryesuar nga Flora Hajredinaj, Erjon Hani dhe Erjon Çela që miratoi kërkesën e te pandehurve për gjykim te shkurtuar. Gjatë seancës i pandehuri Isuf Tanuzi kërkoi përjashtimin e kryesuese Flora Hajredinaj, kjo lidhet me faktin që nuk pranoi kërkesat e tij për pavlefshmëri aktesh. Kërkesa do gjykohet nga një gjyqtar tjetër ndërsa seanca e ardhshme do të zhvillohet në datë 17 nëntor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, madje ndaj saj, nisi edhe procedim disiplinor Inspektori i Lartë i Drejtësisë, për shkak të lirimeve të të dënuarve për krime të rënda.

Pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave të tjera, SPAK e akuzon Hoxhën për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim. Një ndër bashkëpunëtorët e Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku. Ky i fundit sipas SPAK bënte rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.

Pjesë e dosjes  është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuci, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar të dilnin pikërisht para Hoxhës për gjykim.

Ish gjyqtarja aktualisht ndodhet në burg nën hetimin për korrupsion. Ajo akuzohet se ka liruar disa të fortë të dënuar me burgim përjetë. Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg.  Ajo u arrestua pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar. Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë disa muaj më parë në Tiranë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!