Gjithë jetën mes bagëtive, historia e bareshës nga Finiqi

schedule18:15 - 27 Mars, 2022

schedule 18:15 - 27 Mars, 2022

E ardhmja e Miranda Cakulit duket se është përcaktuar pa lindur. Bija e një familje barinjsh u rrit mes kullotave. Shoqëronte çdo ditë me prindërit bagëtitë nëpër fusha dhe kodra. Në moshë fare të re nisi ti dalë për zot bagëtive. I nxirrte vetë nëpër kullota. Baresha 55-vjeçare nga Finiq është plot energji.

Zgjohet pa dalë dielli dhe fle në 22 mbrëmjes. Nga ora 08: deri në 19:00 kullot 200 krerët.

“Jetojmë vetëm me këto bagëtitë, kjo ishte zgjidhja jonë, se kishim vjehrrën, vjehrrin dhe s’mund të iknim në Greqi, siç ikën të gjithë. Si lija dot më vinte keq. Kam 30 vite që jam bareshë. Më pëlqen kjo punë. Kush është I zoti e gjen punë si në fshat si në qytet”.

U martua 20 vjeç. Lindi tre fëmijë. Me të ardhurat nga blegtoria i rriti dhe po i shkollon.

“Dy i kam në Tiranë vajzën dhe djalin, djalin e vogël e kam në shkollë të lartë në Athinë për ekonomik. Fëmijët ja dalin me ndihmat tona. Shtrëngojmë rripin dhe ushqejmë e shkollojmë fëmijët”.

55-vjeçarja thotë se është punë e rëndë për gratë. Kujton se para disa ditësh teksa bagëtitë kullosnin i ka dalë para një ujk. Por për fat nuk ndodhi asgjë.

“Para 4 ditësh ujku më doli më mori dhitë përpara. Ai i sillte që andej unë I dilja në anën tjetër. Më pa i bërtita, iku. Që të bëhesh bareshë duhet të jesh shumë e fortë. Ka shumë vështirësi se kjo është punë për burrat, jo për gratë. Po nga e keqja e bëjnë dhe gratë.”

Biseduam pak me këtë grua të fortë, pasi duhet të vazhdonte rrugën drejt kullotave në kodrat e Finiqit, për t’ju siguruar bagëtive ushqim sa më cilësor. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!