Pas barazimit 1 me 1, të regjistuar në “Air Albania” javën e kaluar përballë bjellorusëve të BATE Borisov, “demat e kuq” të Partizani do të përballen mbrëmjen e nesërme, në Mezokoved të Hungarisë, në ndeshjen e kthimit të fazës së parë kualifikuese të UEFA Champions League.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes i pranishëm ishte dhe tekniku i “të kuqve” kryeqytetas, Zoran Zekiç, i cili është i mendimit se ndeshja e radhës do të jetë krejtësisht ndryshe nga jo e luajtur në Tiranë, teksa shton se kualifikimi është i hapur për të dyja skuadrat.
“E kam përmendur edhe në përfundim të ndeshjes së parë në Tiranë, që ky rezultat lë çdo gjë të hapur përsa i përket kualifikimit në raundin e dytë. Kemi luajtur vetëm aktin e parë. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje, duhet të kemi përqendrim maksimal dhe të fokusohemi të bëjmë ndeshjen tonë.
E theksova edhe më parë që nesër do të jetë krejtësisht një ndeshje tjetër. Ne duhet të bëjmë një ndeshje dhe një paraqitje akoma edhe më të mirë. Duhet të kemi më shumë karakter, më shumë energji dhe më shumë disiplinë.
Përsa i përket gjendjes fizike të skuadrës, kemi disa probleme të vogla, asgjë problematike. Sot kemi edhe seancën e fundit dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë. Nesër besoj i gjithë grupi do të jetë i gatshëm.
Nuk mund ta ndryshojmë faktin që përballja luhet pa tifozë. Askush nuk e dëshiron që një ndeshje futbolli të luhet pa publik dhe për këtë më vjen shumë keq. Do të jetë një situatë e njëjtë si për ne ashtu edhe për Bate Borisov. Ne duhet të përgatitemi të luajmë edhe në situata të tilla.”,- u shpreh Zekiç para ndeshjes. /i.m /abcnews.al