“Gjithçka është e hapur”, trajneri i Sevilla: Kemi mundësi të kualifikohemi përballë United

schedule16:24 - 19 Prill, 2023

schedule 16:24 - 19 Prill, 2023

Sevilla përmbysi gjithçka në “Old Trafford”, teksa në “aktin e parë” të çerek-finalve, të UEFA Europa League, “andaluzianët” e mbyllën ndeshjen në barazimin 2 me 2, duke kthyer rezultatin pas avantazhit të dyfishtë që “djajtë” arritën që në minutën e 20’-të të lojës.

Ky barazim padyshim që i ka mbajtur gjallë shpresat e spanjollëve, për të siguruar një biletë gjysmë-finaleje, me teknikun Jose Luis Mendilibar, i cili në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes ndaj “djajve” u shpreh se djemtë e tij janë në një formë të mirë dhe mund të arrijnë diçka në ndeshjen e kthimit.

“Djemtë janë mirë, ne po vijmë nga fitorja kundër Valencias dhe barazimi në Mançester. Ne e dimë se United janë kundërshtarë të vështirë, por ne jemi gjithashtu në formë, kemi një mundësi 50/50 për të përparuar. Ndeshja e parë ishte një lojë me dy fytyra, në pjesën e parë pësuam dy gola, pastaj ngadalë morëm kontrollin e lojës dhe ia dolëm të rikuperoheshim. Është e vërtetë që pati dy autogola, por siç u thashë djemve me cilësinë që kemi, nëse bëjmë shumë krosime dhe qëndrojmë për një kohë të gjatë në zonën e kundërshtarit, mund të na ndihmojë një kërcim apo një gabim i kundërshtarit”,- u shpreh Mendilibar në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp.

Ndërkaq, në vijim të konferencës për shtyp, tekniku i spanjollëvë nuk hodhi poshtë mundësin e një kualifikimi të mëtejshëm të rekordmenëve të kompeticionit, teksa kujtojmë se spanjollët e kanë fituar plot 6 herë trofeun e Europa League më shumë se kushdo tjetër.

“Ne luajmë ndeshjen e dytë në shtëpi, por nuk është aspak një avantazh. Siç thashë, ne kemi 50% shanse për të përparuar. Tifozët do të na japin një dorë, por është njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë në fushë”,- u shpreh në përfundim të fjalës së tij tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!