Larg studios së ‘ngurtë’ të lajmeve, Juli Krisafi ndan në një rrëfim në Pas Mesnatë në ABC News, copëza të jetës së saj, fëmijërinë, qytetin ku u lind, familjen dhe ndjesinë sot të të qenit nënë.
“Nuk duhet të harrojmë rrënjët nga vijmë që të dijmë se ku shkojmë. Gjirokastra është qyteti që mua më ka formuar, jam kjo që jam sepse kam lindur në Gjirokastër. Gjirokastra për mua është shumë e dashur, e kam jetuar si qytet, e admiroj si qytet kam ikur vonë prej saj. Nëse lexon ‘Kronikë në gur’ të Kadaresë ke marrë aromën më delikate të atij qyteti.” thotë Krisafi ndërsa shton se për të familja është shumë e rëndësishme.
“Familja është shumë e rëndësishme. Kam një bibliotekë të madhe në shtëpi sepse babai im kishte një bibliotekë të madhe në shtëpi. Unë lexoj shumë libra, sepse babai im lexonte shumë libra dhe në shtëpinë time qarkullonin libra gjatë gjithë kohës. Nga familja marrim edhe gjëra që nuk na kanë pëlqyer, dhe na bëjnë ata që jemi. Familja është shumë e rëndësishme dhe unë përpiqem të bëj të njëjtën gjë me familjen time të vogël sot.
Mëmësia është momenti më i rëndësishëm i jetës. Është shumë e rëndësishme të bëhesh nënë. Për mua asnjë femër nuk do ishte e realizueshme nëse nuk provon këtë ndjesi. Pas lindjes kam shpërthyer në të qara që nuk ndalonin, ishte një emocion i mbledhur. Me djalin kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë, jam shoqe me djalin tim, përpiqem të krijoj një marrëdhënie që në bazë të jetë komunikimi dhe mos jetë kopje e marrëdhënieve që ne kemi patur me prindërit tanë, kemi jetuar në një periudhë ku shumë gjëra i mbanim sekret me prindërit. E kam shumë të rëndësishme të flas hapur me fëmijën time për gjëra që ne prindërit tanë nuk na flisnin. Të jesh nënë rritesh, e sheh botën me tjetër sy, bëhesh më frikacake se më parë, ke më shumë përgjegjësi,” thotë Krisafi.